Idealet e Gjermanisë
Qëllimi kryesor i Gjermanisë në atë kohë ishte rifitimi i territoreve Gjermane, të humbura me firmosjen e Traktatit të Versajës. Një qëllim tjetër ishte shtimi i territoreve të minoriteteve gjermani në Austri me idenë për të formuar Gjermaninë e Madhe (ide kjo edhe e partisë fashiste e shfaqur në Itali, ku me termin “Perandoria Romake”, pretendonte të merrte ato territore që kjo perandori kishte përfshirë në të në lashtësi, por kuptohet kjo ishte vetëm një thirrje propagandistike). Politika e jashtme gjermane kishte lidhje me tokat e shkëputura nga Austria si edhe me pjesën gjuhë folëse gjermane në territoret e Polonisë dhe Çekosllovakisë të humbura gjithashtu si pasojë e Traktatit të Versajës. Bisedimet dhe negociatat e Hitlerit me Çamberlein (Chamberlein), kishin si justifikim pikërisht këto motive, që lejonin në një farë mënyre Gjermaninë të kërkonte këto territore.
Hitleri i paraqiti raporte të shumta Neville Çamberlainit, ku tregoheshin dhunimi dhe keqtrajtimi që i bëhej minoriteteve gjermane në ato territore. Kur Gjermania naziste, mori këto territore nga Polonia dhe Çekosllovakia, ai u prit ngrohtë nga gjermanët aty. Por ky entuziazëm nuk do të rezultonte si një gjë pozitive më vonë. Me fundin e luftës, këta minoritete, u zhvendosën me forcë nga aty ku ishin. Duke i mbetur vetëm një vend për të shkuar, ata do t’i drejtoheshin Gjermanisë.
Një arsye tjetër e fortë është edhe kushtet e vështira të vendosura në Konferencën e Parisit. Hitleri e bindi popullin se vetëm partia naziste do mund ta lironte Gjermaninë nga ai pakt. Shumë shpejt, shërbimi ushtarak i detyrueshëm do të rivendosej edhe pse ai ishte ndaluar nga traktati i lartë përmendur. Sipas Hitlerit, traktati po i hiqte Gjermanisë dhe gjermanëve të drejtën për të funksionuar si një shtet i vërtetë.
Këto dhe lojëra të tjera propagandistike, do të përdoreshin më vonë nga partia naziste për të arritur qëllimin e saj të vërtetë të luftës. Gjithashtu vetëm kështu partia naziste e Hitlerit mund të kryente diskriminime shoqërore dhe ideologjike, duke bërë që një pjesë e mirë e intelektualëve dhe kundërshtarësh politik, të largoheshin për të gjetur strehë diku tjetër. Me këto ide, diskriminimi ndaj hebrenjve kishte filluar, duke marrur prej tyre një pjesë të mirë të pasurisë dhe duke i zëvendësuar ata nga vendet e larta të punës me punonjës gjerman, që sipas të njëjtës propagandë, ishin racë ariane (raca më e pastër në botë).
Lëvizjet dhe Aleancat para luftës
Në fillimet e luftës, Britania dhe Franca ndoqën një politikë mos veprimi ndaj Gjermanisë duke dashur të ruanin paqen në Evropë. Ka mendime se kjo politikë u ndoq pasi këto dy fuqi të mëdha dyshonin në se popujt e tyre do të kishin dëshirën të luftonin një luftë tjetër madhore në kaq pak kohë.
Me Marrëveshjen e Mynihut (Munich Agreement) në vitin 1938, u kuptua qartë që tashmë lufta ishte e pashmangshme, pasi pikërisht Britania e Madhe dhe Franca, dhanë leje pushtimit të atyre tokave Çekosllovake, ku sipas Hitlerit jetonin popullsi gjermano-folëse. Çamberlain deklaroi se ky ishte një pakt që do të shënonte paqen në Evropë. Por në të vërtetë, Gjermania pas pushtimit të “tokave që i përkisnin”, në mars të 1939, do të pushtonte të gjithë Çekosllovakinë. Në më pak se një vit nga pushtimi i Çekosllovakisë, Britania e Madhe dhe Franca, do t’i deklaronin luftë Gjermanisë.
Firmosja e Paktit Molotov-Ribbentrop në Moskë. Mbas Molotov nga e majta në të djathtë qëndrojnë Shaposhnikov, Ribbentrop dhe Stalin
Me pushtimin e Çekosllovakisë u pa qartë dështimi i Marrëveshjes së Munihut. Gjithashtu Britania e Madhe dhe Franca arritën në përfundimin se Hitlerit nuk i zihej besë dhe se ai kërkonte të shtrinte pushtetin në të gjithë Evropën, një gjë kjo që ata nuk mund ta toleronin. Polonia dhe Franca do të binin dakord të ndihmonin njëra tjetrën më 19 maj 1939, në rast sulmimi nga pala Gjermane. Britania e Madhe do të ofronte ndihmën e saj ndaj Polonisë me të njëjtin qëllim si Franca në Mars. Më 23 gusht 1939, pakti Gjermano-Rus i Molotov-Ribbentrop do të firmosej nga të dyja palët. Ky pakt ishte i fshehtë dhe kishte si synim kryesisht formimin e një protokolli për të realizuar ndarjen e Evropës qendrore, ndërmjet Nazistëve dhe Sovjetikëve. Kjo ndarje do të bëhej sipas planeve të interesave dypalëshe dhe gjithashtu i premtonte Bashkimit Sovjetik një pjesë të Polonisë. Të dy palët arritën në një marrëveshje që lejonte si Gjermaninë dhe Rusinë të “bridhnin” të qeta dhe të mund të kryenin veprime ushtarake në tokat e njëri-tjetrit. Duke kujtuar Luftën e Parë Botërore ku Anglia i kishte bllokuar shumë gjëra asaj duke bërë që Gjermania të vuante urinë, Gjermania dëshironte një kontratë me Bashkimin Sovjetik, ku ky i fundit zotohej të shiste ushqimet, naftën dhe produkte të tjera Gjermanisë.
Gjermania tashmë nuk frikësohej dhe ishte gati t’i shpallte luftë Britanisë së Madhe, Polonisë dhe Francës. Hitleri në fillim qartësoi se ai donte thjeshtë të shtinte në dorë Qytetin e Danzing (do ishte më e saktë të thuash Qytet-Shtet) dhe Korridorin e Polonisë, por qëllimet e pushtimit të plotë të Polonisë ishin të qarta. Marrëveshja midis Britanisë së Madhe dhe Polonisë në 25 gusht, nuk do të ndryshonte planet e Hitlerit.