“ PO BUQ , ME SAKICA DO TË LUFTOJMË(!)”
Ka kaluar mesnata.
Ora është 00. 20 minuta, e enjte, 25 mars, 1999.
Dal në oborr.
M’u duk sikur do të pushojnë të shtënat, por nuk doli ashtu.Nuk kaluan as
tre minutë prapë u ndie zhurma e avionëve të NATO-s. Serish bombardime,
detonime e shpërthime. Edhe artileria serbe riaktivizohet me terë arsenalin
e saj. Drejtë qiellit fishkëllejnë predha kalibrash të ndryshëm. Shumë prej
tyre janë predha ndriçuese. Skuqet qielli . Edhe civilët serbë me armë
që kanë bashkëveprojnë me artilerinë. Shtiejnë si të çartur. Këtë e bëjnë jo
për ta goditur NATO-n po për t’i frikësuar fqinjtë e tyre shqiptarë, për
të treguar superioritet, për të treguar fuqinë.
Vetëtimë dhe bubullimë armësh. Duket se qyteti do të përmbyset.
Qetas hapa portën e oborrit dhe dola në rrugë. Dëshiroj të shoh nga
afërsia se çka po ndodh në qytet. Dëgjoj çirrje bandash, thyerje xhamash
dhe këngë çetnike. Zbres deri tek hekurudha por nuk guxova të shkoj
matanë saj . Vërejta tym e flake nëpër dyqane. Plumbat filluan të bien rreth
meje. I frikësuar nga fërshëllima e predhave të shumta, ktheva prapa dheu
futa brenda. Në çastin kur po ulem u dridh toka, shtëpia. Për pak s’u thyen
xhamat. Na u duk sikur tavani do të na bie mbi kokë.
-Shumë afër është,-foli Muharremi.
-Po. Më duket se u qëlluan kazermat e ushtrisë serbe. Andej erdhi
bubullima,- pohova.
U ndie edhe një seri shpërthimesh por kësaj radhe larg Ferizajt. Artileria
serbe gradualisht nisi të pushojë. Pushuan edhe të shtënat e civilëve serbë.
Ora është tre pas mesnate. Ra një heshtje trishtuese.
-Duket se u qetësua,- u thash djemve. Rregulloni vendet ! Duhet të flemë.
Gjumin do ta bëjmë të gjithë së bashku, këtu, në kuzhinë, - u thash.
Ramë ashtu si ishim, të veshur. E fikëm edhe qiriun. Dëgjohet vetëm
tik-taku i orës së murit. Ajo ecën shumë ngadalë. Minuta është sa ora, ora
sa nata.
-Buq!,- më thirri Muharremi, -A mund të ndodh e të na sulmojnë shkiet
nëpër shtëpi?
-Jo bir, jo,- ia ktheva,- Edhe serbët frikësohen. Ata janë të bindur se
edhe ne jemi të armatosur prandaj nuk ua ha të futen në një aventurë të
tillë.
-Ah sikur ta kisha një pushkë me shumë fishekë, për Zotin tërë mëhallën do
ta mbrojë kalli vet. Do ta zë pozitën tek çoshi i Hamitit , e nuk do ta
lëshoj asnjë shka të gjallë të futet në lagje,-më tha me bindje të plotë.
-Lëri këto llafe biro! Është koha për të fjetur. Fli!
-Jo, s’kam gjumë. Fli ti! Unë do të bëj roje deri sa të zbardhë dita e,
nëse dëgjoj ndonjë rrapëllimë, të thërras. Do t’i kapim sakicat dhe do të
luftojmë me ta (!). Nuk bën të shkojmë gjakhupës,- më tha Muharremi.
U tremba nga fjalët e djalit. “Çka tha ,çka?! Ku jam , ëndërr apo
zhgandërr?!
- pyes veten. Dhe, pata për t’ia plasur vajit po të mos ndërhynte Enveri.
-Po buq po, me sakica do të luftojmë(!). Ja ku i kemi, brenda janë dy
sakicat. Pse, shkive me u rënë në dorë, ë?! Jo, kurrë jo! Derën e oborrit e
kemi të hekurit. Të ta thyejnë nuk munden. E, nëse tentojnë ta kapërcejnë,
do t’u biem sëpata dhe do t’i mbysim(!),-foli edhe Enveri.
Vini re! Shihni se ç ’u sillet fëmijëve në kokë! Të luftojnë me sakica(!).
Po pra!. Edhe kjo është luftë(!). Edhe kjo është rezistencë(!). Edhe kësaj
i thënkan jetë(!).
Eu ç’na qenka jeta, ç’na qenka jeta!!!
-Flini o djem, flini! Nuk jemi vetëm ne këtu! Të gjithë fqinjët janë këtu,
tërë lagjja, i tërë qyteti!-u qirra..
Asnjëri s’e foli asnjë fjalë. Ndoshta u frikësuan nga klithja ime e
pazakonshme. Po po. Me siguri u tutën!
Ora ra pesë herë. Djemtë dhe gruaja tanimë flinin. Unë u futa në
mendime. Notoja si një leckë e humbur në valët e oqeanit të dallgëzuar.
Serish m,u duk se më flet Ymeri matanë telit : “Buq, pasha Kur’ anin s’i
keni punët hiq mirë. Serbët do të hakmerren në juve. Ikni sa s’është bërë
vonë!” Albana në anën tjetër me doli para sysh : “ Jo, o mësues, ne nuk do
të bëhemi as pleq e as plaka. Shkiet do të na vrasin, do të na masakrojnë
sikurse ata në Reçak,…”
O njerëz! A flihet kështu?!
Ymeri ka të drejt . Ai bazohet në deklaratën e kryeçetnikut Sheshel, i
cili kohë më parë pat deklaruar haptazi: “ Nëse na sulmon NATO-ja neve, ne
(serbët) nuk do të qëndrojmë duarkryq; NATO neve, ne shqiptarëve, pa të
shohim”.
Dhe kjo tani veç po ndodh. Thjesht, hakmarrja po shkon sipas
thënies së çetnikut.
Shumë fshatra u bënë rrafsh me tokë, shumë njerëz u vranë,
shumë janë zhdukur pa gjurmë , një numër i madh i tyre u dëbuan matanë
Bjeshkëve të Nemuna “preko Prokletije”- (citat i Sheshelit ). Tash edhe
qytetet e mëdha janë në rrezik.
Pale se çka do të bëhet?!
Isha shumë i vogël. Baba im, rahmet i pastë shpirti, shpesh e përdorte
një thënie : “Kosova hashër e neshër”. Atëherë nuk e kuptoja domethënien e
kësaj thënje. Tash e kam të qartë. Po. Kosovës i doli flaka në të katër
anët. Kosova u ndez. Në Kosovë po provohen armët më moderne të kohës, është
bërë poligon, shënjestër,cak sulmi.
Kosova po rrënohet.
Kosova po përpëlitet.
Kjo na qenka “Kosova hashër e neshër”, kjo!
I veshur dhe i shtrirë në shtrat, pashë për dritare se zbardhi dita e re.
U mbështolla me një batanije, mbylla sytë me dhunë dhe po mundohem ta bëj
një sy gjumë.
*
Gruaja ishte zgjuar më herët. Kishte bërë gati mëngjesin dhe me kujdes na
zgjoi nga gjumi. Ora ishte nëntë pa një çerek. Zgjohen edhe djemtë. Janë
tepër të lodhur dhe të brengosur. Duken sikurse të jenë të sëmurë nga
verdhëza. Marrim vesh se situate për momentin është e qetë. Ulemi pranë
njëri tjetrit për të ngrënë bukë. Hamë sa për t’ia bërë adetin, si thuhet.
Në sokak dëgjojmë llafosje të fqinjëve. Dalim edhe ne. Përshëndetemi me
njëri tjetrin sikur të mos ishim parë me muaj të tërë. Të gjithë janë të
prishur në pamje. Bisedohet kryesisht për natën e shkuar. Dëshmitarët flasin
për tmerret që kishin parë gjatë natës
-Shihnim me sytë tanë serbë të uniformuar, me maska e pa to, me rafalë
automatikësh “vritnin” dyer e vitrina të dyqaneve pastaj futeshin në to,
plaçkitnin mallin, e ngarkonin nëpër makina dhe zhdukeshin në drejtime të
ndryshme,pastaj, dyqaneve ua vinin zjarrin, i digjnin. Lokalet e serbëve dhe
ato shoqërore shënjoheshin me kryq dhe kurseheshin nga plaçkitësit,- tregon
Hysniu i cili banon në një ndërtesë në qendër të qytetit.
Këtu, në rrugën tonë, për fat të mirë, nuk kemi asnjë banorë serb. Situata
në këto çaste është e qetë.
S’ më rrihet. Marr një qeskë najloni dhe nisem për në çarshi. Me kujdes
kalova hekurudhën . Eca teposhtë pranë Xhamisë së Madhe.
Ç’ pamje!
Tmerr. Copa xhamash të shpërndarë trotuareve, lokale të nxira nga djegia,
dyer (të hekurit) të deformuara nga zjarri.
Vjen erë shkrumbi.
Eci, kthehem në të majtë në drejtim të postës. Pothuajse të gjitha lokalet
përballë parkut ishin të demoluara dhe të plaçkitura.
Disa romë qëndrojnë para një këpucarie që nuk di se si paska shpëtuar.
Romët janë kureshtarë. Pranë tyre kalon një grup ushtarësh të armatosur
gjerë në dhëmbë. Panë romët duke qëndruar para dyqanit. U llafosën diçka me
ta, dhe, njëri nga ushtarët i ra vitrinës me këmbë me tërë fuçinë. Xhami u
bë spirrë më spirrë.
-Hyni!,- i urdhëroi ushtari,- merrni çka të doni.
Romët të gëzuar u futën në dyqan. Me siguri merrnin këpucë, puma e patike.
Bashkë me romë u futën edhe ca ushtarë . Pa dyshim, edhe ata po marrin ato
që u pëlqejnë.
Unë i kërrusur gjoja se po e lidh një tojë këpuce, me bisht të syrit
shikoj tërë këtë plaçkitje në pike të ditës. Në ndonjë vend tjetër, në
situata të tilla hajnat do të ekzekutoheshin aty-për aty, para dyqanit,
kurse këtu ata (hajnat) ndihmohen nga ushtarët(!). Bah!
I tmerruar nga kjo pamje u nisa drejtë komunës. Nuk pata fuqi të vazhdoj
më tutje. Ktheva në të majtë pranë stacionit hekurudhor, dola tek piceria
“Gurina”. Edhe në këtë bllok pashë të njëjtën pamje: vitrina të thyera,
lokale të demoluara , të djegura dhe të plaçkitura. Ula kokën sikurse i
plagosur dhe u nisa drejtë shtëpisë me frikë se nuk do të mund ta gjejë
shtëpinë time. Për fat u gjeta para portës sime ku ishin tubuar disa fqinjë.
U tregova për ato që pashë në qytet.
Krejt spontanisht, futen brenda tek unë. U bë njëfarë mbledhimi. Ky tubim
rasti u shndërrua në një mbledhje me vlerë pune. U folën fjalë të rënda për
LDK-n por nuk u kursye as UÇK-ja. Për LDK-n u tha se ajo në momentin më të
duhur-dështoi, kurse për UÇK-n , pse ajo nuk është aktive në qytete kur
dihet se sa djem janë të gatshëm për luftë. Këto dy subjekte, nëse mund të
quhen kështu, në momentin më dramatik na kanë lënë si zogjtë pa pulën
klloçkë